top of page

Kur tradita rikthehet në jetë: Ansambli “Shebeniku”, një shpresë për trashëgiminë kulturore në Hotolisht

  • 1 day ago
  • 3 min read

Pas më shumë se tri dekadash, fryma e dikurshme e grupeve artistike nëpër fshatra duket se po ringjallet sërish. Në Hotolisht, një ansambël i ri folklorik po bashkon brezat dhe po rikthen traditën në zemrën e komunitetit.


Të gjithë e dimë se para viteve ’90, pothuajse çdo fshat kishte vatër kulture dhe grupin e vet artistik. Kënga, vallja dhe muzika popullore ishin pjesë e jetës së përditshme, duke mbledhur të rinj e të moshuar në aktivitete që mbanin gjallë identitetin kulturor të komunitetit. Për shumë vite, kjo traditë u venit dhe dukej sikur do të mbetej vetëm një kujtim.

Por sot, pas më shumë se 30 vitesh, në Hotolisht po lind një shpresë e re për ringjalljen e kësaj trashëgimie.


Pranë shkollës së mesme të bashkuar “Rrahman Çota” është ngritur ansambli folklorik “Shebeniku”, një nismë që ka sjellë entuziazëm jo vetëm tek nxënësit, por edhe tek gjithë komuniteti. Ky ansambël shihet tashmë si një mundësi reale për të rikthyer traditën artistike në këtë zonë dhe për ta përcjellë atë tek brezi i ri,sepse me keta te rinje jane bashkuar edhe me te moshuarit,Xhevat Hysa e Nuri Cota.


Sikurse tregon Haxhi Balliu, kjo punë nisi që në muajin shtator, falë pasionit dhe këmbënguljes së Shefki Kurti, instrumentist i njohur dhe pjesë prej më shumë se 40 vitesh e ansambleve folklorike të Librazhdit. Laureat i festivaleve kombëtare të Gjirokastrës dhe një emër i respektuar në fushën e folklorit, ai vendosi të investojë përvojën dhe dashurinë e tij për artin tek brezi i ri.

Gjithçka nisi me një bisedë me drejtoreshën e shkollës, Arjana Çekrezi, e cila mbështeti menjëherë këtë ide dhe hapi rrugën e bashkëpunimit. Ngritja e ansamblit nuk u pa thjesht si krijimi i një grupi artistik, por si një proces edukativ dhe kulturor i lidhur ngushtë me programet mësimore dhe kurrikulën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për zhvillimin e artit dhe zejeve në shkollë.


Sot, rreth 60 nxënës — nga klasat e ciklit të ulët deri tek gjimnazistët — janë bërë pjesë e “Shebenikut”. Ata mblidhen disa herë në javë për prova, duke mësuar këngë, valle dhe elementë të traditës popullore që për shumë vite rrezikuan të humbnin.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë ansambël është bashkimi i brezave. Përkrah të rinjve janë afruar edhe artistë e valltarë të vjetër të zonës, të cilët me përvojën e tyre po ndihmojnë në formimin artistik të grupit. Kjo ndërthurje mes energjisë së të rinjve dhe përvojës së brezit të vjetër po krijon një atmosferë të rrallë bashkëpunimi dhe dashurie për kulturën.


Ngritja e këtij ansambli — tregon Haxhi Balliu, një njohës i mirë i trashëgimisë kulturore të Librazhdit dhe pjesëmarrës prej vitesh në festivale folklorike brenda dhe jashtë vendit, si me ansamblin e QKF-së ashtu edhe me grupe të tjera folklorike — është tashmë një sukses i padiskutueshëm. Sipas tij, modele të tilla mund të krijohen edhe në shkolla të tjera të zonës, si në Dragostunjë, Dorëz, Kuturman, Zgosht e më tej. “Mjafton përkushtimi dhe mbështetja dhe çdo gjë arrihet”, shprehet ai me optimizëm.



Debutimi i ansamblit në Festivalin Kombëtar të Riteve dhe Lojërave Popullore në Burrel ishte prova më e mirë se kjo nismë ka nisur të japë frytet e saj. Për komunitetin e Hotolishtit, “Shebeniku” nuk është vetëm një ansambël folklorik — është rikthimi i një tradite, një frymë shprese dhe një dëshmi se kultura vazhdon të jetojë aty ku ka njerëz që besojnë tek ajo.

Në një kohë kur shumë tradita rrezikojnë të humbasin, iniciativa të tilla tregojnë se trashëgimia kulturore mund të ringjallet dhe të vazhdojë të jetojë përmes brezit të ri. Dhe ndoshta, ansambli “Shebeniku” është vetëm fillimi i një historie më të madhe për gjithë zonën e Librazhdit. Një shembull që meriton mbështetje, vlerësim dhe duartrokitje.

bottom of page