Librazhdi nën dëborë, Bashkia në gatishmëri të plotë: emergjencat dhe OSSH në terren
- Jan 11
- 1 min read
Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë të gjithë territorin e Bashkisë Librazhd, duke krijuar kushte të vështira atmosferike, veçanërisht në fshatrat e njësive administrative Steblevë, Lunik, Polis dhe Orenjë. Në këto zona, intensiteti i reshjeve ka qenë më i lartë, duke sjellë herë pas here vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e banorëve.
Pavarësisht situatës, Bashkia Librazhd bën me dije se strukturat e saj janë angazhuar pa ndërprerje në terren për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Ekipet e shërbimeve emergjente kanë ndërhyrë në pastrimin e akseve rrugore dhe në monitorimin e vazhdueshëm të zonave më problematike, me qëllim që rrugët të mbeten të kalueshme.
Njëkohësisht, prej mbrëmjes së kaluar, grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) në Librazhd janë në gatishmëri të plotë për evidentimin dhe riparimin e defekteve të shkaktuara nga dëbora e rëndë. Në pjesën më të madhe të territorit, furnizimi me energji elektrike është rikthyer, ndërsa puna vijon intensivisht edhe në zonat e thella malore, ku ndërhyrjet janë më të vështira për shkak të terrenit dhe aksesit të kufizuar rrugor.
Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ka bërë të ditur se situata mbetet nën kontroll dhe se të gjitha fshatrat e bashkisë po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet duke raportuar çdo problematikë apo defekt të konstatuar, në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më e shpejtë dhe efikase.
Sipas Bashkisë Librazhd, ekipet do të vijojnë punën pa ndërprerje deri në përmirësimin e kushteve atmosferike dhe normalizimin e plotë të situatës në të gjithë territorin.
Librazhdi Press.












